Demografi Besim Gollopeni ka deklaruar se Kosova ka pësuar një rënie të ndjeshme të popullsisë, duke humbur rreth 10% të banorëve të saj në harkun kohor nga viti 2011 deri në vitin 2024.

Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës, demografi Gollopeni theksoi mbrëmë se krahasimi mes dy regjistrimeve të fundit të popullsisë dëshmon një rënie të paktën 10%.

“Nëse bëjmë një krahasim për pak më shumë se një dekadë, midis dy regjistrimeve të popullsisë, rezulton se vetëm nga viti 2011 deri në vitin 2024, Kosova ka humbur të paktën 10% të popullsisë,” tha Gollopeni.

Ai shtjelloi më tej, duke treguar se ndërsa në vitin 2011 numri i banorëve ishte 1.8 milion, sot ai ka rënë në 1.6 milion. Gollopeni shprehu bindjen se shifra reale mund të jetë edhe më e ulët, bazuar në analizat e tij. Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo vit, Kosova pritet të humbasë mesatarisht 1% të popullsisë së përgjithshme.