Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur në Kosovë, Ahmet Grajqevci, ka deklaruar se që nga përfundimi i luftës kanë ekzistuar dyshime për varreza masive në veri të Kosovës dhe në territorin e Serbisë. Ai theksoi se zhvillimet e fundit në Zubin Potok forcojnë bindjen se në atë zonë mund të ketë lokacione të tjera ku janë fshehur trupat e personave të zhdukur gjatë luftës.

Grajqevci u shpreh se fshehja e trupave ishte realizuar sipas një plani të organizuar shtetëror.

Për Ekonomia Online, ai theksoi se që nga fillimi kishin dyshuar për ekzistencën e disa varrezave masive në veri, por mungesa e mjeteve dhe e kompetencave në vitet e para pas luftës ua kishte pamundësuar hetimin e tyre.

“Që nga fillimi kemi dyshuar se në veri mund të ketë dy, tre deri në katër varreza masive. Pse e themi këtë? Ne kemi shkuar disa herë me Jashar Jupën, ish-komandantin e ndjerë të Policisë për Krime Lufte dhe UNMIK-un në atë vend dhe e kemi vizituar vetëm sipërfaqësisht. Nuk kishim mjete për të hulumtuar më tej, sepse kompetencat e UNMIK-ut dhe të policisë sonë ishin jashtëzakonisht të kufizuara, nuk kishim as teknikë, as aparatura për zbulime”, tha ai.

Ai shtoi se një dokument i Korpusit të Uzhicës dhe dëshmitë për atë që njihej si “spastrim i terrenit” ngrenë dyshime edhe për një varrezë masive pranë Rashkës.

“Kjo lidhet edhe me një dokument të Korpusit të Uzhicës, i zbuluar në Podujevë. Dëshmitari, duke folur për këtë dokument, ka dëshmuar se pas të gjitha aksioneve – vrasjeve, plaçkitjeve, djegieve dhe dëbimeve – togu i tyre kishte detyrimin për ‘asanacija terena’, që do të thotë ‘spastrim i terrenit’. Spastrimi i terrenit nënkupton mbledhjen e trupave, varrosjen ose transportimin e tyre në lokacione të tjera, si dhe evidentimin e tyre me numër dhe lokalitetin nga janë marrë. Po ashtu, kjo procedurë përfshinte regjistrimin e shtëpive të djegura, dëmeve materiale dhe kafshëve të therura. Dëshmitari kishte treguar se pasi kishin ngarkuar trupat në kamion, pranë Kërshit të Dudës, komandanti i korpusit kishte urdhëruar ‘pravac Brevenik’ (drejtimi Brevenik). Grajqevci sqaroi se, pas kërkimeve në hartë, Breveniku rezulton të jetë në periferi të Rashkës, duke sugjeruar kështu mundësinë e një varreze masive edhe atje”, përfundoi ai.