Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka marrë detyrën e ushtrueses së Presidentes së Kosovës. Menjëherë pas këtij zhvillimi, ajo ka marrë lëvdata dhe urime nga bashkëpartiakët e saj në Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët theksojnë figurën e saj të spikatur politike.

Deputetja Arjeta Fejza ishte ndër të parat që reagoi, duke theksuar se në këtë post ka ardhur “gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit”, e cila ka treguar një “historik guximi dhe vendosmërie”.

Në një postim në rrjetet sociale, Fejza shkroi: “Nga sot, pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit do ta mbajë gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Haxhiu ka treguar përkushtim dhe seriozitet në çdo funksion politik që ka pasur, si brenda Lëvizjes Vetëvendosjes, ashtu edhe në institucionet e Republikës sonë. Një historik i tillë i guximit dhe vendosmërisë, e duke qenë e pakompromis në çështjet më të rëndësishme të shtetësisë, ka bërë që figura e saj të vlerësohet gjithmonë lartë nga qytetarët e Kosovës. Urimet e mia më të sinqerta, e dashura Albulenë.”

Edhe deputeti Adnan Rrustemi, pak më parë, i ishte bashkuar valës së urimeve, duke vlerësuar figurën e Haxhiut. Rrustemi u shpreh i bindur se, si ushtruese e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu “lajtmotiv do ta ketë vetëm interesin shtetëror.”