Gruda akuzon Vetëvendosjen: Synojnë president militant partiak

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke e akuzuar se synon të instalojë një president politikisht të kontrolluar dhe të varur nga partia në pushtet.

Në emisionin “Debat Plus”, Gruda theksoi se Vetëvendosje po kërkon një figurë që do të ishte plotësisht në shërbim të saj.

Gruda shpjegoi se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë të ketë një president më të kontrolluar sesa Presidentja aktuale, Vjosa Osmani.
“Ata kanë dashur një president që të bëjë më shumë sesa (roli i) Presidentes Vjosa Osmani. Më shumë sesa t’ua caktojë datën e zgjedhjeve. Një president që është në diktat të plotë, që është militant partiak, i instaluar në zyrën e kreut të shtetit. Kjo është e keqja. Sepse të gjithë ne po e kuptojmë drejtimin ku po shkojmë. Prandaj duhet ndalur,” tha Gruda.

Ndërkohë, brenda një jave përfundon afati i masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e 6 marsit të presidentes Vjosa Osmani, me të cilin ajo shpërndau Kuvendin.