Legjenda e Milanit, Ruud Gullit, ka bërë thirrje që Italia të kthehet te bazat nëse dëshiron të rikthejë krenarinë e saj kombëtare.

“ADN-ja juaj janë mbrojtësit e shkëlqyer, futbolli tiki-taka nuk është për të gjithë”, shtoi ai.

Mesfushori i tërhequr nga futbolli ka qenë pjesë e Serie A gjatë epokës së artë, kur në çdo ekip lejoheshin vetëm tre lojtarë të huaj, duke formuar një treshe holandeze te Milani me Marco van Basten dhe Frank Rijkaard.

Ai foli për “Sky Sport Italia” dhe dha mendimin e tij për dështimin e Italisë për t’u kualifikuar në tre edicionet e fundit të Kupës së Botës.

“Duhet të ktheheni te ADN-ja italiane, që janë mbrojtës të mirë, portierë të mirë dhe sulmues të mirë,” tha Gullit.

“Trofeu i fundit që Italia e fitoi ishte kryesisht falë Leonardo Bonucci dhe Giorgio Chiellini. Kjo është ADN-ja juaj, mbrojtësit më të mirë.”

Kjo vjen pasi vetë Bonucci kishte sugjeruar se do të donte që trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, të bëhej trajneri i ri i Italisë, por Gullit ka një ide tjetër.

“Unë nuk dua të them që duhet të mbylleni në mbrojtje, por dikur kishte Paolo Maldini në mbrojtje, ndërsa Fabio Cannavaro fitoi Topin e Artë për Italinë. Mbrojtja është e rëndësishme.”

“Tani të gjithë duan të luajnë tiki-taka duke nisur aksionet nga zona e tyre, por kjo nuk është për të gjithë.”

Gullit bëri 178 paraqitje në Serie A gjatë karrierës së tij, duke shënuar 62 gola dhe duke dhënë 46 asistime.

Shumica ishin për Milanin, por ai pati edhe një periudhë te Sampdoria para transferimit te Chelsea në vitin 1995.

Holandezi fitoi tre tituj të Serie A me Milanin, dy Liga të Kampionëve, dy Superkupa Evropiane, Kupën Interkontinentale dhe dy Superkupa të Italisë.

Ai gjithashtu fitoi Kupën e Italisë me Sampdorian./GazetaExpress/