Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nxit rritjen e kërkesës për naftën bruto amerikane
Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani, pas shpërthimit të konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin, ka shkaktuar një rritje të kërkesës për naftën bruto amerikane. Kështu bëjnë me dije analistët e transportit detar dhe të tregut.
Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike tranziti për naftën e Lindjes së Mesme, por transporti përmes saj është ndërprerë ndjeshëm që prej 28 shkurtit.
Duke mos pasur mundësi të kenë akses në naftën e Lindjes së Mesme përmes kësaj ngushtice, importuesit janë detyruar të gjejnë furnizues alternativë.
Të dhënat nga kompania e analizave detare Kpler tregojnë se 71 cisterna gjigante nafte, të njohura si Very Large Crude Carriers (VLCCs), janë nisur drejt SHBA-së për të marrë ngarkesa. Kjo shifër është shumë më e lartë se mesatarja ditore prej 27 VLCC-sh vitin e kaluar.
David Haydon, drejtor i çmimeve të transportit të naftës bruto në SHBA pranë Argus Media, një kompani e inteligjencës së tregut, shpjegon se: “Blerësit nga Europa dhe Azia e konsideruan naftën nga pellgu i Atlantikut, përfshirë bregdetin e Gjirit të SHBA-së, si një zgjidhje të arritshme dhe të bollshme për të plotësuar boshllëkun në furnizim.”
Kjo situatë ka nxitur një rritje të ndjeshme të eksporteve të naftës bruto amerikane.
Kompania kërkimore detare Drewry raporton se, në javën që përfundoi më 10 prill, eksportet arritën në 5.2 milionë fuçi në ditë, duke shënuar nivelin më të lartë në shtatë muajt e fundit.
