Deputeti Guri bojkoton seancën për dhunën ndaj grave: “Arlinda kishte nevojë për shtetin dje”
**Prishtinë** – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, e cila mbahet sot për të diskutuar rastin tragjik të Arlinda Zekajt dhe fenomenin e dhunës ndaj grave.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Guri kritikoi ashpër mbajtjen e seancave të tilla, të cilat, sipas tij, mbeten në nivel simbolik dhe nuk sjellin përgjegjësi konkrete apo masa parandaluese efektive për mbrojtjen e grave.
“Arlinda nuk kishte nevojë për një seancë sot. Kishte nevojë për shtetin dje. Sot nuk do të marr pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Jo sepse nuk më dhemb vrasja e Arlindës. Por sepse refuzoj të bëhem pjesë e ceremonive simbolike të vrasjes së grave,” shkroi Guri.
Ai gjithashtu adresoi kritika ndaj Ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe mënyrës se si institucionet i trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave, si dhe nivelit të mbrojtjes që u ofrohet atyre.
“Sot, në Kuvend, pritet të vijë edhe Donika Gërvalla, ministre e Drejtësisë dhe Koordinatore Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave. Një ministre që në Kuvend ka ofenduar gra të tjera, e që vetë gëzon mbrojtjen e shtetit, udhëton me truproja e xhipa, ndërkohë që gra të tjera, edhe pasi kërkojnë ndihmën e institucioneve, mbeten të pambrojtura,” theksoi Guri.
Deputeti Guri deklaroi se nuk do të jetë pjesë e këtij “rituali,” por do të marrë pjesë në protesta kundër dhunës ndaj grave dhe do të vazhdojë të kërkojë përgjegjësi nga institucionet. “Sepse gratë nuk kanë nevojë për fjalimet tona pasi të vriten. Kanë nevojë për mbrojtjen e shtetit sa janë gjallë. Andaj, po e përsëris: Arlinda nuk kishte nevojë për një seancë sot. Kishte nevojë për shtetin dje,” përfundoi ai.
