**Hadërgjonaj para finales historike: Turqia, shtëpia ime e dytë, por ëndrra është Botërori me Kosovën**

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Florent Hadërgjonaj, ka folur për mediat turke përpara ndeshjes së madhe finale të “play-off”-it për Botërorin, ku Kosova do të përballet me Turqinë.

Hadërgjonaj, i cili luan si mbrojtës i djathtë dhe aktivizohet te Alanyaspori i Turqisë, theksoi se Turqia tashmë është bërë shtëpia e tij e dytë, duke qenë se ka luajtur atje prej disa vitesh.

“Kam luajtur në Turqi për gjashtë vjet. Ky vend është tashmë si shtëpi për mua. Të dy fëmijët e mi kanë lindur këtu. Por në fund të ditës, ëndrra ime është të kualifikohem në Botëror me Kombëtaren e Kosovës,” u shpreh Hadërgjonaj për “A Spor”.

Më tej, mbrojtësi foli edhe për rëndësinë e kësaj përballjeje historike për Kosovën. “Është një ndeshje e madhe për ne. Mund të jetë një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës sonë në futboll. Mundësia për të luajtur në këtë finale është një ëndërr për ne. Kemi punuar shumë fort për të arritur në këtë nivel. Tani po përballemi me Turqinë dhe jemi shumë të emocionuar. Njerëzit në Kosovë dhe në mbarë botën po i numërojnë ditët për ta parë këtë finale,” shtoi ai në intervistën e tij.

Ai foli gjithashtu për grupin kualifikues të Botërorit 2026, ku Kosova përfundoi e dyta. “Sipas mendimit tim, nuk ishim favoritë në grup. Zvicra, Suedia dhe Sllovenia ishin skuadra me më shumë përvojë në nivel kombëtar. Shumë njerëz nuk prisnin asgjë nga ne, por ne besuam fort te vetja që në fillim. Bëmë një punë shumë të mirë si ekip. Besojmë se e merituam të jemi në finale,” tha Hadërgjonaj.

Për Hadërgjonajn, shanset në finale janë 50-50, ndërsa ai përmendi edhe rrezikun kryesor nga ana e Turqisë. “Është e vështirë të zgjedhësh lojtarin më të rrezikshëm te Kombëtarja e Turqisë. Arda Güler, Hakan Çalhanoğlu dhe Kenan Yıldız… të gjithë janë lojtarë me cilësi shumë të lartë. Megjithatë, kjo nuk bën ndonjë ndryshim për ne. Jemi në finale dhe finalet janë 50/50. Avantazhi ynë është se do të luajmë në shtëpi. Edhe pse atmosfera këtu nuk do të jetë si në Turqi, besojmë se do të jetë e ngjashme,” përfundoi ai.

Ndeshja finale e “play-off”-it të Botërorit, Kosovë – Turqi, do të luhet më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke nisur nga ora 20:45. Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në Kampionatin Botëror 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.