Trajneri Ismet Munishi shokuar: “Istogu u shndërrua në Kandahar,” tifozët godasin me këpucë

Trajneri i FC Lirisë, Ismet Munishi, ka shprehur indinjatën e tij të thellë pas ndeshjes së sotme kundër Istogut, e cila u zhvillua në kuadër të javës së 26-të të Ligës së Parë. Ai ka deklaruar se nuk ka parë kurrë më parë një situatë të tillë, duke e krahasuar ambientin në stadiumin e Istogut me “Kandahar”.

Ndeshja mes Lirisë dhe Istogut përfundoi me barazim 2-2, një rezultat që rrezikon seriozisht shanset e skuadrës së Munishit për t’u ngjitur në Superligë sezonin e ardhshëm.

Por, më shumë sesa rezultati në fushë, vëmendje tërhoqën sjelljet e pahijshme të tifozëve vendas. Raportohet se ata jo vetëm që ofenduan trajnerin Munishi, por edhe e goditën atë me këpucë.

Pas përfundimit të takimit, Munishi reagoi ashpër, duke u shprehur i habitur nga sjellja e tifozëve të Istogut dhe duke theksuar se kishte përjetuar “tmerrin më të madh” në karrierën e tij sportive.

Në postimin e tij të plotë, trajneri shkroi:
“Një klub si Istogu dhe një qytet me shumë vlera të shndërrohet në Kandahar, nuk e kuptoj pse! Sot kam përjetuar tmerrin dhe turpin më të madh që prej se jam në sport. I falënderoj lojtarët dhe stafin e klubit FC Liria që ishin tepër dinjitozë përballë sharjeve dhe provokimeve të të gjithë aktorëve të klubit kundërshtar. Lufta vazhdon.”

Pas këtij barazimi, Liria e Ismet Munishit renditet aktualisht e katërta në tabelë me 50 pikë, katër më pak se Vushtrria që mban vendin e parë, megjithëse Vushtrria ka një ndeshje më pak të luajtur. Në vendin e dytë gjendet Dinamo e Ferizajt me 53 pikë, ndërsa Feronikeli ’74 zë vendin e tretë me 51 pikë. Pas Lirisë renditet Vëllaznimi, i cili, në rast fitoreje këtë fundjavë, do të ngjitet në vendin e katërt, duke e kaluar Lirinë.

/Burimi: Gazeta Express/