Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se partia e tij do ta dërgojë rastin e moskonstituimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.
“Do ta dërgojmë rastin në Gjykatën Kushtetuese, brenda afateve ligjore”, theksoi Hamza gjatë një konference për shtyp. Kjo deklaratë erdhi pasi deputetët e PDK-së u larguan nga salla e Kuvendit, në shenjë pakënaqësie me faktin që Lëvizja Vetëvendosje nuk e votoi Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares së Kuvendit.
Kandidatura e Çitakut për nënkryetare nuk arriti të marrë votat e nevojshme, pasi Lëvizja Vetëvendosje votoi kundër. Pro saj votuan PDK-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Nga ana tjetër, Ardian Gola, kandidati për nënkryetar i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, mori mbështetjen dhe votat si të PDK-së ashtu edhe të LDK-së, duke u zgjedhur në këtë pozicion.
