Kryeministri Edi Rama ka theksuar se marrëveshja e re për gazin e lëngshëm (LNG) me Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënon një “hap të rëndësishëm drejt pavarësisë energjetike” të Shqipërisë. Duke folur në podcastin e tij javor “Flasim”, Rama zbuloi detaje mbi këtë bashkëpunim strategjik.

Sipas Ramës, ky akord do të sigurojë furnizimin e Shqipërisë me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA për një periudhë 20-vjeçare. Përmes Termocentralit të Vlorës (TEC), i cili do të transformohet për të operuar me gaz në vend të naftës, vendi do të prodhojë energji elektrike, duke vendosur një themel të qëndrueshëm për diversifikimin e burimeve energjetike dhe rritjen e sovranitetit në këtë fushë.

Kryeministri theksoi se “kjo ishte një javë ku hodhëm një tjetër hap të rëndësishëm për sigurinë dhe pavarësinë tonë energjetike. Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Ai shtoi se pas investimeve të rëndësishme për përfundimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, i cili fillimisht ishte projektuar të punonte me naftë por tani do të përshtatet për gaz, Shqipëria do të sigurojë gaz të lëngshëm amerikan për dy dekada. Kjo do të mundësojë prodhimin e energjisë elektrike përmes TEC-it të Vlorës, duke ndërtuar një bazë të fortë për një portofol të diversifikuar dhe të qëndrueshëm të sovranitetit energjetik.

Rama vuri në dukje se ky burim i ri energjie do të rrisë ndjeshëm volumin e investimeve dhe kapacitetin e Shqipërisë për të furnizuar me energji qendrat kompjuterike të të dhënave dhe programet e inteligjencës artificiale, të cilat pritet të jenë thelbësore për dekadën e ardhshme.

Vlora, shtoi kryeministri, do të shndërrohet në një nyje të rëndësishme, jo vetëm për shfrytëzimin, por edhe për eksportin e gazit natyror përmes Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Pjesë e marrëveshjes është edhe investimi për ndërtimin e një tubacioni që do të lidhë Vlorën me Fierin, ku ndodhet pika e aksesit me TAP-in.