Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, deklaroi sot se Kosova është “në zgjedhje”, jo “ndoshta”, duke sugjeruar se kryeministri Albin Kurti nuk po tregon gatishmëri për të arritur një marrëveshje mbi zgjedhjen e presidentit të ri.

I pyetur nga gazetarët nëse kryeministri Kurti po dëshiron të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Haradinaj u përgjigj prerë: “Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje.”

Sipas Haradinajt, nëse Kurti do të dëshironte me të vërtetë zgjedhjen e presidentit, ai do t’i dinte hapat e nevojshëm, duke theksuar se ka përvoja politike në këtë drejtim.

“Nuk ka rëndësi se e ka vetëm për vete. Nëse do të kishte dashur të zgjidhte presidentin, ai (Kurti) i di si shkojnë këto punë, këto procese. Ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arritur të zgjedhim president. Pra, ai nuk e ka hapur fare paketën e qeverisë, të thotë ‘qeverinë po e mbajmë për vete, kur vjen puna e presidentit urdhëroni të merremi vesh’. Kjo shkon ndryshe; me atë që e fton për partneritet për president, bëhesh partner edhe në qeveri,” deklaroi Haradinaj.

Në një tjetër zhvillim, Haradinaj komentoi kalimin e deputetes Duda Balje në Grupin Parlamentar të AAK-së. Ai u shpreh se nuk ka dallime thelbësore në qëndrime mes tyre për çështje kyçe si Kosova, vlerat e demokracisë, zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e komuniteteve.

“Tani mendoj që është mirë edhe për deputeten Duda Balje. Nuk kemi shumë dallime në qëndrime sa i përket Kosovës, vlerave të demokracisë, zhvillimit ekonomik, por edhe përkrahjes së komuniteteve. Aleanca gjithmonë ka qenë e kujdesshme. Për ne është një deputet më shumë në grup. Mendoj se është reciproke, pra është një lloj racionaliteti, sepse një deputet pa grup e ka të vështirë,” shtoi Haradinaj.