**Haradinaj kritikon LVV-në: Shfaqin videon e UÇK-së, përjashtojnë veteranët nga paga minimale**
Ramush Haradinaj, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Qeverinë, duke i akuzuar për hipokrizi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe veteranëve të luftës, raporton Ekonomia Online. Kritikave të tij i parapriu shfaqja në Kuvend e një videoje të daljes publike të UÇK-së.
Sipas Haradinajt, hipokrizia qëndron në faktin se pikërisht ata që shfaqën videon historike të UÇK-së në Kuvend, janë të njëjtët që, bashkë me Listën Serbe, i përjashtuan veteranët e UÇK-së nga paga minimale.
“Edhe sot e pamë dhe e vërtetuam një tallava patriotike,” ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se videoja e daljes publike të UÇK-së u shfaq nga “ata që, bashkë me Listën Serbe, i kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga paga minimale.”
Ai theksoi se veteranët janë lënë në një gjendje të rëndë ekonomike, madje në mjerim, dhe akuzoi pushtetin si “mashtrues” ndaj qytetarëve. “E shfaqin videon e UÇK-së, por në të njëjtën kohë së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar veteranët nga paga minimale,” shtoi ai, duke iu drejtuar drejtpërdrejt qytetarëve.
Haradinaj i ftoi qytetarët të mos i besojnë asaj që ai e quajti “pafytyrësi dhe mashtrim” nga ana e pushtetit. “Le ta besojnë të gjithë këtë pafytyrësi dhe këtë mashtrim të tyre,” shtoi Haradinaj.
