Haradinaj kujton 1 Tetorin 1997: Rinia studentore dhe profesorët, simbol i rezistencës

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot protestën studentore të 1 Tetorit 1997, duke e cilësuar atë si një moment kyç në historinë e përpjekjeve të shqiptarëve për liri.

Haradinaj theksoi se atë ditë, studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës u shndërruan në simbol të rezistencës kundër padrejtësive dhe shtypjes.

Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj shkroi: “Historia e shqiptarëve është histori përpjekjesh të pandalura për liri. 1 Tetori 1997 shënon një moment historik në të cilin rinia studentore dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës u bënë simbol i rezistencës ndaj padrejtësive dhe shtypjes ndaj shqiptarëve.”

Sipas Haradinajt, protesta e 1 Tetorit ishte një pikë kthese që forcoi vendosmërinë e popullit shqiptar në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.