Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratë kundër aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së

Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar unanimisht një deklaratë që shpreh kundërshtim të thellë ndaj aktgjykimit të 16 shtatorit, lëshuar ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit zyrtar të Komunës së Prizrenit, kjo deklaratë u miratua gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Kuvendit, të zhvilluar më 1 tetor 2026. Mbledhja u mbajt në prani të anëtarëve të Kuvendit, monitoruesve dhe përfaqësuesve të mediave.

Në këtë deklaratë, Kuvendi i Prizrenit shpreh mospajtim të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ai thekson se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk duhet të interpretohet si përgjegjësi kolektive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e luftës së saj çlirimtare.

Gjithashtu, Kuvendi i Prizrenit ka shprehur solidaritet të plotë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe me familjet e tyre.

Përmes deklaratës, Kuvendi u ka bërë thirrje qytetarëve që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve të forta, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin kombëtar, duke i artikuluar qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe përmes institucioneve.

Në përfundim, në lidhje me formulimin “Në emër të popullit të Kosovës” të përdorur gjatë shpalljes së aktgjykimit, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka përcjellë mesazhin e qartë: “JO NË EMRIN TIM!”