Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar rëndësinë jetike të sigurisë, duke bërë thirrje për forcimin e ushtrisë dhe ruajtjen e palëkundur të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të garantuar që historia e dhimbshme, si masakrat e Krushës së Madhe, të mos përsëritet më kurrë në Kosovë.

Gjatë homazheve të mbajtura në 27-vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe, Haradinaj u shpreh se suksesi i shtetit dhe fuqizimi i institucioneve të sigurisë përbën “hakmarrjen” më të mirë ndaj të kaluarës së dhimbshme.

Haradinaj shprehu thellësisht respektin dhe u përkul para të gjithë atyre qytetarëve, civilë, gra, pleq, fëmijë e të rinj, që u vranë pafajësisht. Ai theksoi shqetësimin për faktin se ende ka persona të pagjetur dhe se drejtësia për masakrat në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Selinë, Pastasellë, Fortesë dhe kudo tjetër ende nuk është vënë në vend.

Ai e konsideroi të pashpjegueshme se si, ndërkohë që mungon drejtësia për krimet e kryera, vazhdon të gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). “Nuk ka rëndësi kush është, Ramush, Hashim, Kadri, Jakup apo Rexhep, UÇK-ja përbëhej nga njerëz që luftuan për të mbrojtur veten. E gjithë kjo është thellësisht e pashpjegueshme,” – tha Haradinaj.

Duke iu referuar qindra masakrave të ndodhura në të gjithë Kosovën, veçanërisht në Gjakovë dhe rajonin përreth, Haradinaj theksoi se këto ngjarje nisën më herët, më 24, 25, 26 mars dhe vazhduan. Ai shtroi pyetjen: “Si të veprojmë më tej, si t’i nderojmë këta?”

Duke folur si një popull dhe si Kosovë, Haradinaj pyeti: “A ka diçka që mundemi të bëjmë më sinqerisht, më me nder?” Ai citoi thënien se “hakmarrja më e mirë është suksesi” dhe shtoi se duhet të punojmë me ngulm që Kosova të mos jetë kurrë më e pambrojtur. “Prandaj duhet, siç thotë populli, t’i biem gurit e drurit dhe kurrë të mos e lëmë këtë tokë të pambrojtur.”

Ai paralajmëroi se nëse Kosova nuk do të jetë e mbrojtur, historia do të përsëritet, duke kujtuar rrëfimet e gjyshërve dhe stërgjyshërve për ngjarjet e së kaluarës. “Ushtrinë tonë dhe institucionet tona të sigurisë duhet t’i forcojmë. Nuk duhet kurrë të bëjmë shaka me sigurinë. Është shumë e pashpjegueshme të mos kuptohet rëndësia e sigurisë dhe të besohet se mund të merret në mënyrë të lehtë,” – deklaroi ai.

Haradinaj theksoi se askush nuk mund të luajë me sigurinë, pasi kushdo që e bën këtë “do të gjykohet keq”. “Ne nuk mund të përballemi të vetëm me një armik i cili jo vetëm është më i madh se ne, por ka edhe miq,” – tha Haradinaj. “Për sigurinë tonë, që të mos na përsëriten Krushat dhe tragjeditë e tjera, duhet të mbajmë fort lidhjet me Amerikën. Kushdo që thotë ndryshe, ose ka një interes tjetër, ose nuk e ka për të mirën e këtij populli dhe vendi. E dini vetë si u kthyem në tokën tonë nëse nuk do të kishte qenë Amerika dhe NATO-ja, dhe çfarë do të kishim gjetur,” – përfundoi ai.

Sot shënohet 27-vjetori i Masakrës së Krushës së Madhe. Nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit, forcat serbe masakruan 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe publike u dogjën plotësisht.

Masakra e Krushës së Madhe konsiderohet më e madhja e ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Për fat të keq, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur shumë persona nga ky fshat.

Kjo masakër ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër Sllobodan Millosheviqit, i njohur si ‘kasapi i Ballkanit’, dhe disa udhëheqësve të tjerë politikë e ushtarakë serbë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, nuk pati kurrë një proces të mirëfilltë hetimor dhe askush nuk është dënuar drejtpërdrejtë për krimet e kryera në Krushë të Madhe.