**Enver Hasani sqaron vendimin e Kushtetueses: Decreti i Presidentes Osmani, tërësisht i pavlefshëm**
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka vlerësuar si profesional aktgjykimin e këtij institucioni lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe afatin shtesë 34-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri.
Megjithatë, në një intervistë për KosovaPress, profesori i së drejtës ndërkombëtare thekson se, ndonëse arsyetimi juridik i vendimit është korrekt, gjuha e përdorur në pjesën vendosëse (dispozitiv) tregon “njëfarë hezitimi” të Gjykatës për ta quajtur drejtpërdrejt aktin e Presidentes si kundërkushtetues. Këtë hezitim, sipas Hasanit, e ka shkaktuar “frika dhe presioni” ndaj institucionit.
Ai sqaron se aktgjykimi aktual nuk sjell pasoja të drejtpërdrejta juridike për Presidenten Osmani. Kjo pasi objekti i shqyrtimit ishte vetëm kushtetutshmëria e dekretit dhe jo përgjegjësia e saj personale.
Hasani shpjegon se kur një akt juridik “nuk prodhon asnjë efekt juridik,” ai cilësohet si “pavlefshmëri absolute”. Kjo, në thelb, do të thotë se dekreti ishte “tërësisht kundërkushtetues”. Sipas tij, ky konstatim e bën dekretin për shpërndarjen e Kuvendit juridikisht të pavlefshëm, “sikur të mos kishte ekzistuar fare,” duke e cilësuar këtë si shkallën më të lartë të kundërkushtetutshmërisë.
Ai thekson se Presidentja Osmani ka gabuar me vendimin për shpërndarjen e Kuvendit, pasi një kompetencë e tillë, siç ka vërejtur edhe Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e saj, nuk ekziston si kompetencë autonome e kreut të shtetit në asnjë sistem parlamentar evropian.
Për një procedurë eventuale ndaj Presidentes Osmani për shkelje të Kushtetutës, Hasani sqaron se ajo duhet të iniciohet veçmas nga të paktën 40 deputetë në Gjykatën Kushtetuese. Këta deputetë duhet të argumentojnë shkeljen, duke e përdorur aktgjykimin aktual si fakt mbështetës. Ai thekson se kjo procedurë është e ndarë nga çështja e shkarkimit të presidentit, e cila kërkon shumicë prej dy të tretash në Kuvend dhe konsiderohet një proces politikisht i ndërlikuar. Vendosja nëse do të iniciohet një proces i tillë i mbetet vlerësimit të aktorëve politikë.
