**Aksion antidrogë në Prishtinë: Pesë të arrestuar, sekuestrohen mijëra euro dhe sasi lëndësh narkotike**
Policia e Kosovës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Delivery” në Prishtinë, duke arrestuar pesë persona dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, mijëra euro para të gatshme dhe pajisje të tjera. Aksioni erdhi pas një pune intensive operative dhe grumbullimi të informacioneve lidhur me aktivitetet kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet fillestare identifikuan dy persona të cilët dyshoheshin për shpërndarje të lëndëve narkotike si marihuanë dhe kokainë në kryeqytet.
Të mërkurën, rreth orës 14:00, u zbatua një plan taktik operacional, ku të dyshuarit u lokalizuan në dalje të autostradës në Veternik, teksa lëviznin me një veturë të tipit “Golf 8” me targa vendase. Me të vënë re praninë e policisë, ata tentuan të iknin me shpejtësi të lartë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë në komunikacion.
Gjatë ndjekjes, të dyshuarit u drejtuan për në Fushë-Kosovë, më pas drejt Podujevës, për t’u kthyer sërish në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Ndjekja përfundoi në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, ku njësitë policore arritën t’i ndalonin dhe arrestonin fillimisht katër persona.
Gjatë kontrollit të veturës, u gjetën dhe sekuestruan:
* Dy pako me marihuanë me peshë totale 2.221 gramë;
* Një cigare marihuanë me peshë 1.5 gram.
Gjithashtu, gjatë arratisjes, në fshatin Raskovë, policia gjeti edhe një pako tjetër marihuanë me peshë 1.117.5 gramë, e cila dyshohet se ishte hedhur nga të dyshuarit gjatë ndjekjes.
Në koordinim me Prokurorin Kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, u kryen bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u gjetën dhe sekuestruan:
* Sasi të vogla marihuane (gjithsej 34.2 gramë);
* Dy peshore digjitale;
* Para të gatshme: 4045 euro, 40 funta dhe 40 franga;
* Dy vetura;
* Katër telefona celularë.
Po ashtu, në një veturë tjetër të përdorur nga të dyshuarit, u gjetën 25 qese me kokainë me peshë totale 11.9 gramë.
Policia theksoi gjithashtu se në një nga lokacionet e bastisura u zbulua një hapësirë e modifikuar si “Call Center”, ku u sekuestruan pesë laptopë. Lidhur me këtë zbulim, në vendngjarje ndërhynë edhe njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të cilat do të vazhdojnë hetimet për vepra penale përkatëse sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjatë këtij procesi, u ndalua edhe një person tjetër, duke e çuar në pesë numrin total të të arrestuarve gjatë operacionit.
Të dyshuarit u shoqëruan në Polici dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, u dërguan në qendrën e mbajtjes për 48 orë.
