Avokati Arbër Jashari e ka vlerësuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani si më shumë një zgjidhje politike sesa një vendim thellësisht juridik. Sipas Jasharit, ky vendim nuk prodhon fitues apo humbës të qartë, raporton Ekonomia Online.

Jashari theksoi se vendosja e një afati shtesë prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit dëshmon një qasje balancuese dhe kompromisi nga ana e Gjykatës, me qëllim mundësimin e një zgjidhjeje politike.

“Mendoj se është një vendim i balancave, kompromiseve dhe zgjidhjeve politike. Nuk është një vendim tipik juridik. Me këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese tregon se nuk vepron jashtë realitetit dhe rrethanave politike, por i ka marrë parasysh dhe i ka studiuar mirë ato,” tha ai. “Fakti që aktgjykimi nuk ka një fitues të qartë dhe as një humbës të qartë, si dhe afati 34-ditor si një zgjidhje e mesme ose kompromis për një afat shtesë, tregon se Gjykata Kushtetuese, në realitet, ka nxjerrë një vendim për të ofruar ose mundësuar një zgjidhje politike.”

Sipas Jasharit, ky afat buron nga interpretimi i afateve kushtetuese, ku Kuvendi kishte në dispozicion 60 ditë për zgjedhjen e presidentit dhe deri tani janë konsumuar vetëm 24 ditë.

“Afati 34-ditor, siç jeni në dijeni, ka ardhur si rezultat i konstatimit të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi duhej të kishte 60 ditë për të zgjedhur presidentin, dhe duke qenë se Kuvendi është konstituuar më 11 shkurt 2026, ai ka konsumuar vetëm 24 ditë dhe duhet t’i plotësojë edhe 34 ditë,” shpjegoi ai. Jashari shtoi se Gjykata Kushtetuese konfirmoi që afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit, i cili duhet të bëhet para skadimit të mandatit të presidentit aktual, është detyrues, si dhe faktin që procedurat duhet të fillojnë 90 ose 60 ditë para këtij afati.

Ai theksoi se Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese nga ana e presidentes, por ka vlerësuar se dekreti i saj nuk prodhon efekt juridik.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar, ose nuk ka gjetur, shkelje të kushtetutshmërisë nga ana e presidentes, por thjesht ka thënë që dekreti i saj nuk ka efekt juridik, duke qenë se Kuvendi, me kalimin e këtyre afateve, duhet të shpërndahet sipas Kushtetutës. Pra, është kujdesur edhe në termat që as presidentja të mos dalë humbëse në këtë proces, ndonëse dekreti i saj është zhvlerësuar dhe nuk ka fuqi juridike. Kështu që, siç thashë edhe më herët, më shumë është një vendim i balancave, kompromiseve, zgjidhjeve, që tenton të mos shpallë asnjë fitues apo humbës të qartë, dhe të mos projektojë te opinioni i gjerë se dikush e ka shkelur Kushtetutën,” deklaroi Jashari.

Më tej, Jashari shtoi se kjo situatë mund të interpretohet si zhvlerësim i dekretit, pa e cilësuar drejtpërdrejt atë si antikushtetues. “Nuk mund të them që Gjykata ka konstatuar që presidentja e ka shkelur Kushtetutën, absolutisht jo. Po ashtu nuk mund të them që dekreti i presidentes është antikushtetues ose në kundërshtim me Kushtetutën, përderisa Gjykata nuk e ka thënë në dispozitivin e saj. Por ajo që është më e qartë është se ne kemi një dekret të presidentes i cili është zhvlerësuar ose është shpallur i pavlefshëm. Dhe kjo mund të interpretohet si një dekret antikushtetues nga ana e presidentes, siç edhe po bëhet shpesh.”

Ai theksoi gjithashtu se deputetët nuk janë të detyruar të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, duke vënë në pah se mandati i tyre është i lirë dhe përgjegjësia për arritjen e kuorumit bie mbi forcat politike.

Jashari vlerësoi se arritja e një kompromisi politik mbetet e mundur, nëse ka vullnet nga partitë, duke paralajmëruar se në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. “Bazuar në ato që kanë ndodhur më herët, është pak vështirë të pritet që forcat politike të Kosovës të gjejnë një zgjidhje. Vetëm nëse ato kanë reflektuar dhe i kanë parë rrethanat politike si në vend ashtu edhe në botë, mbase kjo do t’i shtyjë të reflektojnë dhe të heqin secila nga pak dorë nga egoja dhe ambiciet e veta, dhe të bëjnë një kompromis për presidentin në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje,” tha ai, duke shtuar se kjo është shumë e thjeshtë nëse ka vullnet politik.

“Ne si Kosovë jemi dëshmuar edhe në të kaluarën se kur liderët politikë duan, mund të arrijnë kompromise edhe më të mëdha në të mirë të vendit, të interesit dhe stabilitetit institucional. Nuk është diçka që kërkon një kompromis ose një lëshim të madh. Dhe nuk besoj që deputetët e Kuvendit të Kosovës ose klasa politike janë kaq të papërgjegjshëm sa të mos i kuptojnë rrethanat aktuale në të cilat ndodhet Kosova, por edhe ato që po kalon bota në përgjithësi,” tha Jashari.

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të mërkurën dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pas dështimit për të zgjedhur presidentin në një seancë të mbajtur më 5 mars. Sipas Gjykatës Kushtetuese, dekreti nuk ka efekt juridik. Presidenca e Kosovës e mirëpriti vendimin, duke theksuar se është konstatuar se Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të nxjerrë më 6 mars, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet automatikisht (“ex constitutione”). Pas shpërndarjes së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja sqaroi se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve; dhe nëse brenda 60 ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet Presidenti i Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi në fillim të këtij muaji, Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht, deri më 31 mars, dekretin e Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo ia kishte ndaluar Presidentes Osmani çdo veprim lidhur me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga Kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë.