Haxhiu nga shtatorja e Zahir Pajazitit: Liria e Kosovës nuk erdhi nga një rrugë e vetme
Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe pranë shtatores së komandantit Zahir Pajaziti. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Haxhiu theksoi se gjatë ditës ishin bërë homazhe në disa prej vendeve më simbolike të historisë së Kosovës, duke nderuar figurat që, sipas saj, kontribuuan në mënyra të ndryshme për lirinë e vendit.
Duke folur para mediave, Haxhiu detajoi vizitat e ditës: “Ditën e sotme e nisëm në Prekaz dhe vazhduam te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, më pas te varri i veprimtarit Adem Demaçi, dhe tani jemi këtu, te shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti.” Ajo shtoi se këta emra dëshmojnë se liria nuk erdhi nga një rrugë e vetme. Haxhiu nënvizoi se liria e vendit u arrit falë qëndresës dhe sakrificës së komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, urtësisë dhe këmbënguljes politike të Presidentit Ibrahim Rugova, rezistencës së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi, të cilit 28 vjet burg nuk ia zbehën e as nuk ia thyen besimin në liri, si dhe guximit e trimërisë së komandantit Zahir Pajaziti, por edhe gjakut të të gjithë dëshmorëve të kombit.
Ajo më tej theksoi se trashëgimia e heronjve dhe dëshmorëve duhet të shërbejë si udhërrëfyes për institucionet në ndërtimin e shtetit.
“Trashëgiminë që na lanë heronjtë dhe të gjithë dëshmorët duhet ta kemi si udhërrëfyes, si institucione, që ta bëjmë shtetin më të drejtë, më të fortë dhe më të denjë,” deklaroi Haxhiu. Ajo përfundoi fjalën me thirrjen: “Lavdi dëshmorëve të kombit dhe faleminderit të gjithë atyre që bënë që Kosova të jetë e çliruar dhe e pavarur!”
