Haxhiu: Takimet për zgjedhjen e presidentit nisin pas certifikimit të rezultateve

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se takimet me partitë politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit do të fillojnë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Haxhiu theksoi rëndësinë e këtij procesi, duke deklaruar: “Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve, dhe pastaj, pas certifikimit, natyrisht që do të ketë takime me partitë politike. Urojmë që të gjejmë një konsensus, në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta votojë presidentin me mandat pesëvjeçar dhe të vazhdojnë punët dhe përgjegjësitë që kemi para qytetarëve.”

Ajo shtoi se prioritet janë krijimi i institucioneve, duke thënë: “Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë, pas konstituimit të Kuvendit, Kryetari i ri ose Kryetarja e re e Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, do të ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër të vendit.”

E pyetur nëse do të ishte kandidate për presidente, Haxhiu u përgjigj shkurt: “Jo, nuk do të jem kandidate për presidente.”

Ndërkaq, në lidhje me raportimet mediatike se Kosova nuk është ftuar në Samitin e NATO-s, Haxhiu tha: “Ende jemi duke marrë informacione për këtë. Natyrisht, ju lutem të pyesni me shkrim institucionet kompetente dhe ato do të përgjigjen.”