Drejtori i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ka bërë të ditur se mbi 80% e viktimave shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë qenë civilë. Ky njoftim u bë pas prezantimit të Raportit të Institutit, gjatë një interviste në RTK Prime.
Hetemi theksoi se “mbi 80% e viktimave të komunitetit shqiptar janë civilë të vrarë në luftë.” Ai shtoi më tej se, ndër të gjithë personat e vrarë, të zhdukur apo të vdekur si pasojë e luftës, “mbi 52.4% janë persona të armatosur ose identifikohen si pjesëtarë të forcave të armatosura.”
Për të vërtetuar çdo viktimë, instituti ka mbledhur materiale dokumentuese nga mbi 15 vende të ndryshme të botës, duke grumbulluar qindra metra linearë material arkivor dhe mbi 21 terabajt të dhëna.
Hetemi theksoi se një shtyllë e rëndësishme arkivore ka qenë mbështetja nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Në mbledhjen e materialeve janë përfshirë tri kategori kryesore: personat e vrarë, ata të zhdukur me dhunë dhe ata të vdekur si pasojë e luftës.
Hetemi e quajti listën e hartuar si paraprake, duke theksuar se instituti është i hapur për të pranuar raste shtesë, me qëllim pasurimin e arkivit historik të vendit.
“Dallimi ynë është metodologjik,” shpjegoi ai, duke detajuar katër kritere bazë për përfshirjen në listë: personat që kanë lindur ose kanë pasur vendbanim në Kosovë gjatë kohës së luftës; ata me plagë vdekjeprurëse ose të zhdukur në rrethana të lidhura drejtpërdrejt me luftën; ata që kanë humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga lufta; dhe, bazuar në dokumentacion, personat që kanë lidhje me luftën e fundit në Kosovë.
Në aspektin gjinor, raporti zbulon se nga viktimat e regjistruara, 11,415 ose 86.3% janë meshkuj, ndërsa 1,811 janë gra. “Analiza e tyre dëshmon se pasojat e luftës nuk janë kufizuar vetëm te meshkujt,” u shpreh Hetemi.
Sa i përket moshës, raporti tregon se gjatë luftës janë atakuar më së shumti personat në moshë pune, me 57.5% të viktimave që janë të moshës 18 deri në 50 vjeç. 14.7% e viktimave janë mbi 65 vjeç, dhe mbi 1,240 janë fëmijë të moshës 0 deri në 17 vjeç.
Raporti i prezantuar sot dokumenton gjithsej 12,230 viktima të luftës për periudhën janar 1998 – 20 qershor 1999. Gjithashtu, është dokumentuar vrasja e 1,247 fëmijëve të moshës 0 deri në 17 vjeç, ndërsa 94 të tjerë humbën jetën si pasojë e kushteve të rënda të luftës. Ende nuk dihet fati dhe vendndodhja e 100 fëmijëve të tjerë të zhdukur me dhunë.
