Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bllokuar një shumë prej 128.3 milionë eurosh në llogarinë bankare të noteres publike Amela Mukaj. Ky vendim, i marrë më 10 qershor, vjen në kuadër të hetimeve për shitblerjen e dyshimtë të tokave në zonën e Zvërnecit, çështje e njohur si “dosja Zvërneci”.

Sipas SPAK, shuma e sekuestruar lidhet me tre kontrata të shitblerjes së tokave dhe ishte e destinuar për t’u transferuar tek personat që figuronin pronarë të tokave: Artur Shehaj, Ferdinand Sulaj dhe Burbuqe Sulaj.

Në detajet e vendimit të SPAK specifikohet se bllokimi prek pasuritë e luajtshme, konkretisht shumat monetare në euro të depozituara në llogarinë e noteres Amela Mukaj, të ndara si vijon:

1. Një shumë prej 110.247.134 eurosh, e lidhur me një kontratë shitjeje mes Artur Shehaj dhe kompanisë “Albanian Land Development” sh.p.k.
2. Një shumë prej 10.044.684 eurosh, nga një kontratë tjetër mes Ferdinand Sulaj, Burbuqe Sulaj dhe kompanisë “Albania Land Development” sh.p.k.
3. Një shumë prej 8.062.619 eurosh, gjithashtu nga një kontratë mes Ferdinand Sulaj, Burbuqe Sulaj dhe kompanisë “Albania Land Development” sh.p.k.

Këto shuma janë identifikuar si pjesë e transaksioneve që janë nën hetim nga SPAK.