**AI dhe Dezinformimi Transformojnë Fushatat Zgjedhore, Paralajmëron Hibrid.info**

Platforma Hibrid.info ka ngritur alarmin mbi transformimin e fushatave zgjedhore nga dezinformimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale (AI). Sipas Hibrid.info, këto tendenca pritet të intensifikohen gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, me shqetësim të veçantë për rritjen e sondazheve të fabrikuara dhe narrativave propaganduese.

Përfaqësues të platformës për verifikimin e fakteve dhe luftimin e dezinformimit theksuan se gjatë periudhës zgjedhore do të ketë një intensifikim të manipulimit të opinionit publik përmes rrjeteve sociale dhe mediave online.

Etrit Rexhepi nga Hibrid.info vuri në dukje se sondazhet e fabrikuara janë forma më e shpeshtë e keqinformimit gjatë fushatave zgjedhore. Ai shpjegoi se këto sondazhe publikohen shpesh dhe gjenerojnë ndërveprim të madh online, duke i bërë ato një mjet efektiv për manipulim. Këto përmbajtje, kur publikohen në rrjetet sociale, synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e qytetarëve. Rexhepi shtoi se sondazhet e rreme karakterizohen nga mungesa e një metodologjie të qartë shkencore, duke mos specifikuar mostrimin, mostrat e përzgjedhura, vendin apo kohën e realizimit të pretenduar të tyre. Sipas tij, sondazhet e fabrikuara kanë për qëllim të krijojnë një perceptim të rremë për fituesin e zgjedhjeve, të demoralizojnë kundërshtarët politikë dhe të mobilizojnë votuesit e caktuar.

Një formë tjetër e keqinformimit janë deklaratat e rreme. Këto mund të vijnë nga personalitete me ndikim në opinionin publik ose nga vetë aktorët politikë. Deklaratat e rreme përfshijnë ato të sajura plotësisht, të manipuluara, ose të ricikluara në kontekste të ndryshme politike. Qëllimi kryesor është dëmtimi i reputacionit të garuesve, rritja e reputacionit të kundërshtarëve ose krijimi i një realiteti të rremë.

Festim Rizanaj, po ashtu nga Hibrid.info, theksoi se ndikimet e jashtme, veçanërisht nga Serbia, po përpiqen të krijojnë narrativa mbi mungesën e demokracisë dhe presionin institucional ndaj komunitetit serb në Kosovë.

Rizanaj paralajmëroi gjithashtu për rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) në media sociale. Ai përmendi si shembull videot e gjeneruara plotësisht me AI, të cilat simulojnë intervista reale me qytetarë duke përdorur logot e mediave për t’u dhënë legjitimitet. Këto video shfaqin personazhe inekzistente që bëjnë deklarata politike ose shprehin qëndrime pro/kundër partive apo politikanëve, duke krijuar një perceptim të rremë.

Një tjetër formë e përdorimit të AI është “Slop AI”, e cila gjeneron materiale me cilësi të ulët, pa kontekst, me qëllim degradimin e debatit publik dhe diskreditimin e figurave politike. Kjo formë shpesh e kthen diskutimin në argëtim ose përdoret si propagandë me humor, duke u bërë shumë e përhapur dhe me një ndikim të madh në rrjetet sociale.