Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka shprehur skepticizëm lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai theksoi se reagimet e Bashkimit Evropian, të cilat i cilësuan këto ndryshime të miratuara javën e kaluar në Kuvend si “të papranueshme”, ishin të pritshme. Hoti ngriti dyshime edhe për efikasitetin e ndryshimeve të miratuara në garantimin e mbrojtjes së duhur për personat që po gjykohen në Hagë.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, Hoti rikujtoi se reagimet e BE-së lidhen kryesisht me mungesën e konsultimeve paraprake, një procedurë e cila parashikohet me Kushtetutën e Kosovës për çdo ndryshim të këtij ligji.

“Kryeministri Kurti e ka theksuar shumë mirë se nuk jemi shumë të bindur për këtë. Edhe unë personalisht nuk jam shumë i bindur se këto ndryshime do të sjellin rezultatet e nevojshme për të siguruar një mbrojtje të duhur. Kjo është çështje që u përket atyre që sot ndodhen në Hagë,” deklaroi Hoti.

Ministri vuri në theks se procedurat e ndjekura për hartimin e ndryshimeve ligjore ishin problematike, pasi ato u përgatitën brenda një periudhe të shkurtër dhe pa konsultimet e nevojshme me Bashkimin Evropian. “Një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë hartimit të këtyre ndryshimeve, të cilat janë përgatitur brenda dy apo tri ditësh,” u shpreh Hoti.