Zbulohet anija më e vjetër e mbytur në botë

Arkeologët pretendojnë se kanë zbuluar anijen më të vjetër të mbytur në botë pranë brigjeve të Turqisë. Ata besojnë se ajo daton mes 4,400 dhe 4,700 vjetësh, pra nga epoka e hershme e bronzit, afërsisht në të njëjtën kohë kur u ndërtua Piramida e Madhe në Egjipt.

Struktura prej druri e anijes nuk i ka rezistuar kohës, por amforat – enë prej qeramike për ruajtje që transportonte anija – janë gjetur në fundin e detit. Disa prej tyre ende përmbajnë mbetje të asaj që ishte fillimisht brenda tyre.

Sipas BBC-së, arkeologët që zbuluan anijen deklaruan se ishte një anije rreth 10 metra e gjatë, e cila transportonte mallra nëpër Mesdhe. Zhytësit e ekspeditës i nxorën amforat në sipërfaqe, ku tani ruhen me kujdes pas mijëra vjetësh të kaluara nën ujë.

“Anija e mbytur është si një kapsulë kohore në fund të detit,” u shpreh profesori Hakan Oniz i Universitetit Akdeniz të Turqisë, udhëheqës i ekspeditës së Shoqatës Arkeologjike Mesdhetare.

Mbetjet e anijes u gjetën pranë brigjeve të ishullit Kekova, në provincën turke të Antalyas. Artefaktet janë të shpërndara përgjatë një shpati nënujor në thellësinë 30 metra. U gjetën gjithashtu tri spiranca të mëdha guri dhe më shumë se 30 amfora.

Meqenëse nuk kishte mbetur asnjë pjesë e strukturës prej druri të anijes, metoda e datimit me karbon-14, e cila mat sasinë e një forme të veçantë të karbonit në materialet organike, nuk mundi të aplikohej për të përcaktuar moshën e saj.

Në vend të kësaj, arkeologët analizuan formën e amforave. Stilet e qeramikës ndryshuan me kalimin e kohës, prandaj lloje të caktuara shoqërohen me periudha të caktuara historike. Amforat e zbuluara në Kekova janë dalluese: ato kanë dy doreza, një brinjë të ngritur në mes dhe një fund të sheshtë.

Oniz theksoi se dizajni përputhet me atë të amforave të tjera të zbuluara në Egjipt dhe Lindjen e Mesme, të cilat dihet se datojnë mes 4,400 dhe 4,700 vjetësh. “Duke krahasuar teknikat e dekorimit, mund të themi me 100 për qind siguri se kjo anije e mbytur daton nga epoka e hershme e bronzit.”