**Hoti u bën thirrje deputetëve të rinj: Kuptoni përgjegjësitë e mandatit tuaj**
Andin Hoti, deputet i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, ka uruar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës para nisjes së seancës konstituive, me theks të veçantë ata që për herë të parë kanë fituar mandatin parlamentar.
Ai u bëri thirrje deputetëve ta marrin me seriozitet betimin dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga mandati i tyre.
“Me këtë rast, uroj të gjithë deputetët, sidomos ata që për herë të parë kanë marrë mandatin. Shpresoj që secili prej deputetëve ta lexojë mirë betimin që do të japë dhe të kuptojë përgjegjësitë që do të mbartë më pas edhe për formimin e institucioneve, siç janë qeveria dhe presidenti i Kosovës”, deklaroi Hoti.
I pyetur nga gazetarët nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta propozojë sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, Hoti u përgjigj se nuk kishte informacion.
“Këtë nuk e di. Nuk kam informacion”, u shpreh ai.
