Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se e ka sjellë vendin “buzë greminës” dhe se Kosova ka hyrë në një fazë të re politike. Kurti kërkoi afat shtesë për propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, me qëllim bisedimet për çështjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Hoxhaj e quajti seancën e sotme “të turpit”, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e konsideron Kuvendin si pronë të saj. Ai theksoi se sot “iu fik drita e demokracisë”, pasi kjo ishte dita kur duhej të propozohej dhe votohej kandidati për kryetar të Kuvendit, si dhe të konstituohej vetë legjislativi.

Ai e cilësoi veprimin si “seancë antikushtetuese, antidemokratike dhe jashtë çdo procedure në fuqi të Kuvendit të Kosovës”, duke i bërë thirrje qytetarëve ta gjykojnë dhe dënojnë subjektin politik që, sipas tij, e ka sjellë vendin “buzë greminës”.

Hoxhaj pretendoi se “Kosova prej sot nuk ka më demokraci”, pasi kryeministri Kurti “i ka shkatërruar dhe suspenduar të gjitha institucionet demokratike”. Ai e konsideroi këtë si “një ndër ditët më të rënda” në historinë e Republikës së Kosovës që nga ekzistenca e saj si shtet sovran dhe i pavarur.

I pyetur për veprimet e mundshme të PDK-së, Hoxhaj theksoi se partia e tij do ta mbrojë “rendin kushtetues të vendit në çdo formë dhe në çdo mënyrë, brenda dhe jashtë Kuvendit, me qëndrime politike dhe veprime konkrete”. Ai paralajmëroi se “Kosova ka hyrë në një fazë të re”.

Ai i bëri thirrje kryeministrit Kurti të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se “konstituimi i Kuvendit është një proces totalisht i ndarë” nga zgjedhja e presidentit dhe formimi i qeverisë.

Hoxhaj kritikoi ashpër Kurtin edhe për gjendjen institucionale, duke e cilësuar atë “të paprecedentë” dhe duke pretenduar se “Kurti e ka uzurpuar pushtetin”. Ai shtoi se vendi nuk ka as president, as Kuvend, as qeveri si institucione të plota, por vetëm ushtrues detyre, një gjendje e pashembullt në historinë e demokracisë kosovare.

Duke u thirrur në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Hoxhaj theksoi se brenda 30 ditësh duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, si dhe të konstituohet ky i fundit. Ai paralajmëroi se Kosova “ka lëvizur drejt një anarkie të plotë, totale”, duke shtuar se kjo betejë ka natyrë kryesisht politike.

Ai fajësoi drejtpërdrejt Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje si “burimin e kësaj anarkie”, duke theksuar se integriteti institucional i vendit është shkelur dhe “si i tillë nuk ekziston më”.