Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, të cilat i ka konsideruar sulme ndaj mediave dhe gazetarëve. AGK kërkon ndaljen e menjëhershme të fushatave denigruese dhe presionit mbi Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
AGK thekson se këto sulme vijnë vetëm pak ditë pas vizitës së një misioni faktmbledhës të Këshillit të Evropës, i cili konkludoi se Kosova ka shënuar një rënie të vazhdueshme të lirisë së medias gjatë viteve të fundit.
Në foltoren e Kuvendit, Kryeministri Kurti ka ripërsëritur sulmet e tij ndaj mediave dhe gazetarëve. Ai ka përmendur “hyrjen e parave në mënyrë të padukshme” dhe ka theksuar se “një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë, por i manipuluar”. Sipas Kurtit, “ky manipulim po vjen direkt nga armiqtë tanë, por fatkeqësisht po gjen edhe argatin e tyre brenda vendit tonë”.
AGK dënon fuqishëm këtë retorikë nxitëse dhe akuzuese, e cila i cilëson gazetarët si “argatë të armiqve”. Ky qëndrim, sipas AGK-së, përbën vazhdimësi të fushatave të pandërprera nga Kurti dhe partia e tij, me qëllim minimin e raportimit të pavarur dhe të lirë.
Në reagimin e saj, AGK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës: së pari, të angazhohet për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës në hartimin e ligjit të ri të KPM-së; së dyti, të ndalojë çdo formë presioni politik ndaj Transmetuesit Publik, RTK; dhe së treti, të heqë dorë menjëherë nga fushatat e organizuara të denigrimit të mediave dhe gazetarëve.
