Edmond Azemi do ta veshë sërish fanellën e Prishtinës. Legjenda e basketbollit prishtinas, tashmë 45-vjeçar, ka vendosur të rikthehet në parket dhe të jetë pjesë e skuadrës bardhekaltër në edicionin 2026/27.
Azemi ka dhënë një deklaratë për Indeksonline, ku ka treguar arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim, duke theksuar lidhjen e veçantë me qytetin dhe klubin.
“Ka qenë vendim i vështirë, por prapëseprapë e kam vendosur për shkak të qytetit dhe Prishtinës. I vyn ndihma ime”, ka thënë Azemi.
Ai ka bërë të ditur se nuk ka qenë i shkëputur nga aktiviteti fizik, pavarësisht se prej pesë vitesh nuk ka qenë pjesë e garave në Prishtinë.
“Normal që nuk kam qenë joaktiv, kam qenë aktiv viteve të fundit. Pesë vjet kam qenë jashtë garave, jashtë Prishtinës. Por, prapëseprapë kam vendosur t’i ndihmoj klubit dhe qytetit”, është shprehur ai.
Azemi thotë se ndihet i përgatitur për rikthimin, ndërsa kontributi i tij do të përcaktohet gjatë sezonit.
“Jam i përgatitur, por sa mund të ndihmoj, besojmë se do të vendosim të gjithë së bashku”, ka deklaruar ai.
Rikthimi i Azemit pritet të jetë një shtysë e rëndësishme për Prishtinën*, e cila synon të luftojë për trofe dhe të rikthehet në majat e basketbollit kosovar.
