Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i lindur në vitin 1948, i cili është raportuar i zhdukur që nga data 2 korrik 2026.

Rasti është raportuar në Stacionin Policor “Qendra” në Prishtinë, ndërsa që nga dita e raportimit, njësitet policore të hetimeve, njësiti për kërkim-shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore kanë zhvilluar kërkime për gjetjen e tij.

Policia ka bërë të ditur se është analizuar dhe verifikuar çdo informacion që mund të ndërlidhet me rastin, ndërsa kërkimet janë ende duke vazhduar, ndërsa pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, Policia ka kërkuar edhe kontributin e qytetarëve.

Të gjithë ata që kanë çfarëdo lloj informacioni që ndërlidhet me personin e sipërshënuar, t’i përcjellin ato policisë”, thuhet në njoftim.

Informacionet mund të dërgohen në numrin emergjent 192 ose përmes adresës elektronike të Policisë së Kosovës.

Çdo informacion, sado i vogël, mund të jetë i rëndësishëm për lokalizimin e personit të zhdukur.