Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka akuzuar Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Qeverinë e Kosovës se kanë shkelur Ligjin për Ndarjet Buxhetore, duke përgjysmuar fondet e Grantit të Performancës Komunale nga 4 milionë në 2 milionë euro.
Në një deklarim për IndeksOnline, Ibrahimi thotë se Bordi i AKK-së ka shprehur shqetësimin dhe kundërshtimin ndaj këtij vendimi, duke theksuar se Kuvendi i Kosovës, me Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026, ka miratuar shumën prej 4 milionë eurosh për këtë grant.
“Pa rishikim të buxhetit të Republikës së Kosovës nga ana e Kuvendit, ky ndryshim nuk mund të bëhet. Ky veprim është në kundërshtim me parimin e sundimit të ligjit dhe cenon rëndë sigurinë juridike dhe financiare të komunave”, ka thënë ai.
Sipas Ibrahimit vetëm Kuvendi ka kompetencë për të miratuar apo ndryshuar ndarjet buxhetore, ndërsa asnjë ministri nuk ka mandat të reduktojë fondet e miratuara me ligj.
AKK-ja vlerëson se mjetet prej 4 milionë eurosh janë të dedikuara ekskluzivisht për Grantin e Performancës Komunale dhe se vetë Ligji për Ndarjet Buxhetore e identifikon këtë program si projekt të veçantë kapital në kuadër të MAPL-së.
Po ashtu, Ibrahimi thekson se komunat duhet të kenë siguri dhe parashikueshmëri buxhetore për planifikimin e investimeve, ndërsa ndryshimi i rregullave gjatë vitit, sipas tyre, krijon pasiguri dhe rrezikon besueshmërinë e sistemit të financimit lokal.
Ibrahimi ka paralajmëruar gjithashtu se, në bashkëpunim me komunat, do të ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale dhe juridike për mbrojtjen e interesave të komunave dhe zbatimin e ligjit.
“Ligji duhet të respektohet nga të gjithë, e veçanërisht nga institucionet që kanë për obligim ta zbatojnë”, pohon ai.
