Agjencia gjermane e inteligjencës së brendshme (BfV) ka publikuar më 30 qershor raportin e saj vjetor, ku thekson se Irani është njëri prej tre shteteve që spiunojnë aktivistë opozitarë të vendosur në Gjermani dhe tentojnë të infiltrojnë institucionet shtetërore gjermane.
Përveç Iranit, raporti përmend Pakistanin dhe Marokun si vende që kanë “angazhuar burime njerëzore” në Gjermani për mbledhjen e informacioneve. Po ashtu, sipas raportit, këto shtete përpiqen të ndikojnë në politikën, mediat dhe administratën gjermane duke përdorur “metoda klandestine”.
Udhëheqja iraniane i konsideron këto grupe si kërcënim për vazhdimësinë e pushtetit, prandaj shtyp me dhunë protestat brenda vendit dhe persekuton këto grupe e individë edhe jashtë Iranit, thuhet në raportin e inteligjencës gjermane.
Raporti specifikon se komunitetet e huaja dhe aktivistët opozitarë spiunohen ose diskreditohen duke u cilësuar si ekstremistë, ndërsa individë të caktuar përballen me kërcënime fizike.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, gjatë prezantimit të raportit, deklaroi se sovraniteti i Gjermanisë po minohet nga këto aktivitete.
Raporti thekson gjithashtu se pas një konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit, shërbimet iraniane të inteligjencës kanë spiunuar organizata hebraike dhe mbështetësit e tyre në Gjermani dhe në pjesë të tjera të Evropës./REL
