Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka kërkuar presidentes së sapozgjedhur të Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, që të shpalosë publikisht qëndrimet dhe zotimet e saj lidhur me dhjetë çështje thelbësore institucionale dhe shtetërore. IKD thekson se mandati i saj pesëvjeçar do të matet me gatishmërinë për të mbrojtur Kushtetutën.

IKD rikujton rolin kyç të Presidentes në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, përfaqësimin e shtetit brenda dhe jashtë vendit, si dhe kompetencat e saj në fusha si drejtësia, siguria, politika e jashtme dhe institucionet e pavarura.

Ndër pikat kryesore për të cilat IKD pret deklarim nga Presidentja Shiroka-Pula janë funksionimi demokratik i institucioneve dhe mbrojtja e Kushtetutës, qëndrimi ndaj Dhomave të Specializuara, zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe drejtësia për viktimat. Gjithashtu kërkohet pozicioni i saj për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, pavarësinë nga partitë politike, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

Instituti ka kërkuar nga Presidentja të shpalosë vizionin e saj edhe për dialogun Kosovë-Serbi, sigurinë kombëtare dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe mirëqenien sociale.

Një pikë tjetër thelbësore është deklarimi i Presidentes lidhur me procesin e zgjedhjes së saj, nëse vlerëson se ai është zhvilluar në përputhje të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare. Sipas IKD-së, në rast të inicimit të një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e saj, Presidentja duhet të respektojë çdo vlerësim juridik dhe kushtetues që mund të nxirret.

IKD ka bërë me dije se do të monitorojë me vëmendje mandatin pesëvjeçar të Presidentes Shiroka-Pula, duke e vlerësuar atë në raport me mbrojtjen e Kushtetutës, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve. Instituti thekson se mandati i Presidentes nuk do të matet me deklarata, por me gatishmërinë e saj për të mbrojtur Kushtetutën, madje edhe atëherë kur kjo mund të kërkojë kundërshtimin e shumicës politike që e ka mbështetur zgjedhjen e saj.