Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur alarmin mbi pasojat e ngërçit politik, duke theksuar se ai po rrezikon seriozisht funksionimin e institucioneve dhe agjencive të pavarura në vend. Një numër i konsiderueshëm i këtyre institucioneve operojnë me pozita të paplotësuara, mandate të përfunduara ose me procedura emërimi të ngecura.
Sipas analizës së IKD-së, kjo situatë ka lënë shumë prej tyre pa përbërje të plotë për vite me radhë, duke ndikuar në efikasitetin dhe pavarësinë e tyre. Të dhënat tregojnë se është thelbësore të nisin sa më parë procedurat përkatëse për plotësimin e mandateve dhe pozitave të lira, në mënyrë që të shmangen ndërprerjet në veprimtarinë e këtyre organeve.
Gjendja vlerësohet si veçanërisht shqetësuese në rastet ku mungojnë shumica ose të gjithë anëtarët e organeve drejtuese. IKD potencon se Këshilli Kombëtar i Shkencës duhet të plotësohet me të 15 anëtarët, ndërsa Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës me 11 anëtarë. Po ashtu, Komisioni për Ndihmë Shtetërore vazhdon me mandate të përfunduara që prej marsit të vitit 2022. Komisioni për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona ka mbetur pa përbërje, kurse Bordi i Ankesave në Komisionin e Pavarur për Media kërkon plotësimin e tre anëtarëve.
Pozita të paplotësuara janë konstatuar edhe në dy institucione kushtetuese: Gjykata Kushtetuese kërkon plotësimin me dy gjyqtarë, ndërsa Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka një pozitë të lirë. Në të njëjtën kohë, pozita të rëndësishme drejtuese vazhdojnë të mbeten vakante. Avokati i Popullit dhe katër zëvendësavokatët duhet të emërohen, pasi mandati i Avokatit të Popullit do të përfundojë më 28 shtator 2025, ndërsa ata të katër zëvendësve më 14 qershor 2025. Megjithatë, ligji kërkon që procedurat e zgjedhjes të nisin gjashtë muaj para përfundimit të mandatit, dhe Avokati i Popullit bashkë me zëvendësit e tij vazhdojnë ushtrimin e funksionit deri në zgjedhjen e pasardhësve, sipas IKD-së.
Në listën e IKD-së përfshihen gjithashtu Organi Shqyrtues i Prokurimit, i cili ka mbetur pa Kryetar të Bordit që nga gushti 2024 pas dorëheqjes, si dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, ku pozita e Kryesuesit duhet të plotësohet pas skadimit të mandatit në nëntor 2023. Edhe Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit ka mbetur pa kryesues që prej qershorit 2024.
Probleme me plotësimin e përbërjes vihen re edhe në institucione të tjera thelbësore. Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare duhet të plotësohet me pesë anëtarë të Bordit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave me katër anëtarë, Bordi i KOSTT-it me tre anëtarë dhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës me dy anëtarë. Pozita të lira janë identifikuar edhe në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe në Bordin Mbikëqyrës dhe Komisionin për Verifikimin dhe Vendosjen për Prona të Agjencisë Kosovare të Pronës.
IKD vë në dukje gjithashtu se gjatë vitit 2026, disa mandate të drejtuesve të institucioneve të rëndësishme do të përfundojnë. Mandati i Komisioneres së Agjencisë për Informim dhe Privatësi pritet të përfundojë më 17 qershor 2026, ai i Drejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit në korrik 2026, dhe në gusht 2026 përfundojnë mandatet e Kryesuesit dhe dy anëtarëve të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Po ashtu, mandati i Auditorit të Përgjithshëm do të përfundojë më 12 gusht 2026. Ligji parashikon që Auditori i Përgjithshëm vazhdon të ushtrojë funksionin deri në zgjedhjen e pasardhësit, por procedura për zgjedhjen e Auditorit të ri duhet të zhvillohet në kohë, për të shmangur zvarritjet në këtë institucion kushtetues.
