Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy objekte ndërtimi në komunën e Obiliqit, pasi ka konstatuar shkelje të masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit, gjatë inspektimeve të kryera në terren, janë identifikuar mangësi të cilat paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Për këtë arsye, Inspektorati ka vendosur që punimet në të dy objektet të ndërpriten menjëherë, deri në eliminimin e plotë të parregullsive dhe përmbushjen e të gjitha kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet obligimet ligjore dhe të marrin masat e domosdoshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve.
