Instagram çaktivizon enkriptimin e mesazheve direkte
**Instagram ka ndërprerë në shkallë globale funksionin e enkriptimit “end-to-end” (E2EE) për mesazhet direkte, duke sjellë ndryshime thelbësore në standardet e privatësisë së platformës.**
Duke filluar nga data 8 maj 2026, përdoruesit nuk do të kenë më mundësinë të dërgojnë mesazhe plotësisht të enkriptuara në Instagram. Kjo do të thotë se kompania Meta, pronare e Instagramit, do të ketë qasje në përmbajtjen e këtyre mesazheve, duke përfshirë tekstet, fotografitë, videot dhe audio-mesazhet.
Më herët, Meta kishte premtuar se E2EE do të bëhej standard për të gjitha komunikimet në platformat e saj, përfshirë Facebook dhe Instagram. Megjithatë, ka vendosur të mos vazhdojë me zbatimin e plotë në Instagram.
Ky vendim është mirëpritur nga organizatat për mbrojtjen e fëmijëve, të cilat argumentojnë se enkriptimi i plotë vështirëson identifikimin dhe luftimin e abuzimeve online. Në anën tjetër, mbrojtësit e privatësisë digjitale e kanë cilësuar këtë si një hap prapa për sigurinë e të dhënave personale të përdoruesve.
Meta ka deklaruar se ky funksion po hiqet për shkak të shkallës së ulët të përdorimit nga ana e përdoruesve të platformës.
