**Rachel Conlan e Binance: Kosova me Potencial të Madh në Kriptomonedha, Avantazh Popullsia e Re**
Prishtina mikpriti Samitin Ballkanik të Blockchain-it (Balkans Blockchain Summit), ku morën pjesë qindra entuziastë dhe folës ndërkombëtarë nga fusha e kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain. Në bashkëpunim me Binance, samiti diskutoi tema të shumta mbi rritjen e besimit në kriptomonedha globalisht dhe në Ballkan, si dhe potencialin e Kosovës për t’u përshtatur me inteligjencën artificiale, blockchain-in, kripton dhe zhvillimin e ekonomisë dixhitale në rajon.
Znj. Rachel Conlan, Drejtore Globale e Marketingut në Binance, ishte një nga folëset kyçe të samitit dhe vizitoi Kosovën për herë të parë. Gjatë kësaj vizite njëditore, ajo ishte gjithashtu e ftuar në “Publika Podcast”, ku ndau përshtypjet e saj për Kosovën, potencialin e tregut lokal dhe interesin në rritje për teknologjitë e reja financiare.
Në fillim të intervistës, Conlan e përshkroi Prishtinën si një qytet me mikpritje të ngrohtë dhe energji të prekshme. “Më ka mahnitur ngjashmëria, njerëzit shumë mikpritës dhe energjia që ndihet këtu,” theksoi ajo, duke shtuar se samiti tregoi qartë shpirtin sipërmarrës të komunitetit lokal.
Për Binance, vizita në Kosovë pasqyron interesin në rritje për kriptomonedhat dhe teknologjinë blockchain në Ballkan, si dhe nevojën për të qenë më pranë përdoruesve dhe komuniteteve që nxitin këtë industri. Conlan u shpreh se këto takime janë thelbësore, pasi i ofrojnë kompanisë mundësinë të komunikojë drejtpërdrejt me përdoruesit, themeluesit e startup-eve, politikëbërësit dhe rregullatorët.
Binance është bursa më e madhe globale e kriptomonedhave, me mbi 300 milionë përdorues dhe prezencë në më shumë se 180 tregje. Megjithatë, znj. Conlan theksoi se suksesi nuk matet vetëm me numra. Sipas saj, për të ndërtuar besim afatgjatë, kompania duhet të kuptojë thellë tregjet ku operon dhe të jetë e pranishme aty ku komuniteti zhvillohet.
“Kosova ka disa përparësi që e bëjnë të veçantë në rajon: një popullsi të re, interes të lartë për teknologjinë dhe gatishmëri për të kuptuar se si teknologjia blockchain mund të aplikohet praktikisht. Këtu ekziston një vullnet i qartë për të parë se si kjo teknologji mund të integrohet me sistemet ekzistuese dhe të ofrojë vlerë për qytetarët,” deklaroi Conlan në podcastin “Publika”.
Edukimi zuri një vend qendror në intervistë. Znj. Conlan theksoi se rritja e qëndrueshme e industrisë është e pamundur pa njohuri të thella dhe përdorues të informuar. Për këtë arsye, Binance investon në iniciativa edukative si “Binance Academy”, ku përdoruesit mund të mësojnë për kriptomonedhat, teknologjinë blockchain, sigurinë dhe mënyrat e përgjegjshme për t’u përfshirë në këtë ekosistem.
Këshilla e saj për të rinjtë në Kosovë ishte e qartë: të mos hyjnë në këtë industri pa e kuptuar thellësisht. Fillimi, sipas saj, duhet të jetë edukimi, kërkimi personal dhe ndërgjegjësimi për rrezikun. Ajo përmendi gjithashtu shprehjen e njohur në komunitetin e kriptomonedhave, “DYOR” (Do Your Own Research – Bëni Kërkimin Tuaj), si një parim themelor që duhet të ketë parasysh çdokush para se të investojë, të zhvillojë apo të eksperimentojë me teknologjinë blockchain.
Në intervistën me Gresa Bajramin, u diskutuan edhe keqkuptimet që vazhdojnë të shoqërojnë industrinë. Znj. Conlan tha se një nga perceptimet më të përhapura është lidhja automatike e kriptomonedhave me mashtrimin. Ajo theksoi se teknologjia blockchain, falë transparencës dhe gjurmueshmërisë në zinxhir (on-chain), mund të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të aktiviteteve të dyshimta. Binance, sipas saj, disponon ekipe të dedikuara që punojnë për pajtueshmërinë, sigurinë dhe bashkëpunimin me autoritetet në tregje të ndryshme.
Lidhur me rritjen e Binance, znj. Conlan theksoi se suksesi është rezultat i fokusit të vazhdueshëm te përdoruesi. Ajo shtoi se kompania ka ndërtuar një komunitet të fortë global duke dëgjuar përdoruesit dhe duke u përpjekur t’i bëjë produktet më të kuptueshme, më të sigurta dhe më intuitive.
Vizita e Rachel Conlan në Prishtinë shënon një moment kur interesi për teknologjinë blockchain dhe financat dixhitale është në rritje të konsiderueshme në Kosovë dhe në të gjithë rajonin. Për komunitetin lokal, prania e Binance në Samitin Ballkanik të Blockchain-it është një tregues i qartë se tregu po tërheq një vëmendje gjithnjë e më të madhe nga aktorët globalë të industrisë.
