Sulmuesi spanjoll Ansu Fati ka vendosur ta provojë veten edhe jashtë fushës së futbollit.

Futbollisti i Barcelonës ka njoftuar se më 19 qershor do ta publikojë këngën e tij të parë, me titull “Sea Como Sea”.

Lajmi ka tërhequr menjëherë vëmendjen e tifozëve, pasi 23-vjeçari njihet kryesisht për talentin e tij në futboll dhe jo për aktivitet në industrinë muzikore.

Megjithatë, Fati duket i vendosur ta eksplorojë një pasion tjetër paralelisht me karrierën sportive.

Sipas raportimeve nga Spanja, projekti muzikor është përgatitur prej disa muajsh dhe kënga pritet të publikohet në të gjitha platformat kryesore muzikore më 19 qershor, përcjell “Gazeta Express”.

Titulli “Sea Como Sea”, që në shqip mund të përkthehet si “Çfarëdo që të ndodhë”, është zbuluar tashmë përmes rrjeteve sociale të lojtarit.

Ansu Fati konsiderohej si njëri nga talentet më të mëdhenj të dalë nga akademia e Barcelonës, por vitet e fundit karriera e tij është shoqëruar nga dëmtime të shumta që e kanë penguar zhvillimin e tij të plotë në nivelin më të lartë.

Pavarësisht vështirësive në futboll, spanjolli vazhdon të mbetet një figurë shumë e ndjekur nga publiku dhe tashmë do të testohet edhe në një fushë krejtësisht tjetër, atë të muzikës.

Mbetet të shihet se si do të pritet debutimi i tij artistik nga tifozët dhe publiku i gjerë, ndërsa data 19 qershor pritet me interes nga ndjekësit e futbollistit spanjoll. /Gazeta Express