Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar mbrëmë Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor i angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë.
Ai po hetohet për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”, por Inspektorati nuk dha detaje të tjera.
“Fillimisht hetimet lidhur me këtë rast janë filluar nga Policia e Kosovës kurse pas dyshimeve për përfshirjen si të dyshuar edhe të një zyrtari policor, bazuar në fushëveprimin ligjor janë njoftuar edhe hetuesit e IPK-së. Hetimet ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale” kurse pas konsultave me prokurorinë rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
IPK tha se hetuesit e tij në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
