Ministria e Jashtme iraniane ka njoftuar se ka përgatitur një përgjigje për ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, të cilët po përpiqen të qetësojnë tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Lajmi është bërë i ditur nga mediat shtetërore iraniane.
Zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghaei, cituar nga agjencia shtetërore IRNA, deklaroi se një plan me 15 pika i propozuar nga SHBA-ja, përmes të njëjtëve ndërmjetës, “nuk është aspak i pranueshëm” për Teheranin.
Sipas Baghaei-t, negociatat për t’i dhënë fund konfliktit janë “të papajtueshme me ultimatume dhe kërcënime për krime lufte”. Ai iu referua kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për sulme ndaj infrastrukturës civile iraniane, në rast të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.
Baghaei theksoi se Irani ka përgatitur një sërë kërkesash “në bazë të interesave dhe konsideratave tona”, duke shtuar se qëndrimi i Teheranit ka qenë dhe mbetet i qartë.
“Ne e dinim që në fillim çfarë donim dhe cilat ishin vijat tona të kuqe. Qëndrimi ynë është i qartë edhe tani. Që në momentin e parë kur u ngrit kjo çështje, përgjigjet tona ishin gati”, deklaroi zëdhënësi.
Ai shtoi se Irani ka formuluar plotësisht përgjigjet e veta dhe “detajet do të bëhen publike në kohën e duhur”.
