Negociatorët iranianë janë larguar nga Katari, ndërsa Republika Islamike ka pezulluar diplomacinë përpara funeralit disaditor të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fund të shkurtit nga sulme të urdhëruara nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, shkruan CNN.
Mediat iraniane e kanë përqendruar pothuajse tërësisht mbulimin e tyre te përgatitjet për funeralin, ndryshimet operative që vendi do t’i zbatojë gjatë ceremonive të javës së ardhshme dhe domethëniet simbolike të këtij spektakli të madh.
Negociatori kryesor i Teheranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Parlamentit të Iranit, u bëri thirrje të gjithë iranianëve “të marrin pjesë në numër të madh” në funeralin e udhëheqësit, ndërsa ushtria iraniane paralajmëroi SHBA-në dhe Izraelin kundër “çdo llogaritjeje të gabuar” gjatë ceremonive mortore.
Ndërmjetësit – Katari dhe Pakistani – publikuan një deklaratë ku thanë se bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit ishin “pozitive” dhe se negociatat do të vazhdojnë “në momentin më të hershëm të mundshëm”.
Mbetet e paqartë se çfarë u diskutua në Doha. Zyrtarët iranianë kanë thënë se ishin atje për të diskutuar zhbllokimin e aseteve të ngrira të Iranit si pjesë e marrëveshjes, ndërsa Axios raportoi se i dërguari amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, po përpiqeshin ta bindnin Iranin të hiqte dorë nga vendosja e tarifave për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Por, për momentin, Republika Islamike do të ndalet pothuajse tërësisht ndërsa përcjell për në banesën e fundit Khamenein, në një funeral të organizuar me kujdes për të dëshmuar mbijetesën e regjimit përballë vetë aktorëve që konsiderohen përgjegjës për vdekjen e Udhëheqësit Suprem.
