Ish-drejtori i Milanit dhe Lazios, Igli Tare, nën hetim nga SPAK për pastrim parash
**Tiranë** – Ish-futbollisti i Kombëtares Shqiptare dhe ish-drejtori sportiv i klubeve italiane Lazio dhe Milan, Igli Tare, është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për akuzën e pastrimit të parave.
Gjatë paradites së sotme, Tare u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua vendimi se ndodhet nën hetim për veprën penale të pastrimit të parave. Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me dosjen “Balluku”, që përfshin akuzat ndaj ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Albcontrol sh.a., Belinda Balluku.
Sipas hetimeve të SPAK, Belinda Balluku, në funksionin e saj publik, dyshohet se ka kërkuar dhe marrë një përfitim të parregullt prej 145,000 eurosh – një vilë me numër F6 në resortin turistik “White Rocks” në Gjilekë, Dhërmi. Ky përfitim dyshohet se është marrë në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në një procedurë prokurimi publik për “Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol”.
Për të fshehur këtë pasuri të përfituar në mënyrë të paligjshme, SPAK thekson se Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T. (Igli Tare) dhe vartësen e saj në Albcontrol, shtetasen J.B. Si rezultat, Balluku dyshohet se ka kryer veprime fiktive, duke përdorur një kontratë porosie (nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018) mes shtetasit I.T. dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C. Veprimet e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar me një tjetër akt fiktiv, një kontratë qiraje (kontratë dore) të datës 25.5.2022 dhe amendamentin e saj, datë 26.4.2024, ku janë përfshirë Belinda Balluku, I.T. dhe J.B.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi vilën në fjalë, e cila dyshohet se është në pronësi indirekte të Belinda Balluku. Vila e sekuestruar është një “Vilë individuale dykatëshe tip Begonia me Nr. F6”, me një sipërfaqe prej 103 m² dhe verandë 34 m², e vendosur brenda një parcele jo më pak se 300 m².
Hetimet kanë evidentuar gjithashtu veprime të kundërligjshme të Ballukut në bashkëpunim me ish-shefin e Sektorit të Prokurimeve, Evis Berberi, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, S.P., E.N. dhe A.M., duke favorizuar “Eurocol” sh.p.k. që në fazën e përgatitjes së tenderit dhe duke i ofruar parapagim të menjëhershëm 50% të kontratës.
SPAK vijon hetimet për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.
