Ish-ministri kroat i Mbrojtjes: “Po të fitonte Rusia shpejt në Ukrainë, Vuçiq do të sulmonte Kosovën”
Ante Kotromanoviq, ish-ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, ka komentuar armatosjen e Serbisë dhe çështje të tjera të sigurisë rajonale e globale.
Në një intervistë për N1, Kotromanoviq e përmendi edhe Kosovën, duke shprehur besimin se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do ta kishte sulmuar atë, nëse lufta e Rusisë në Ukrainë do të kishte marrë një tjetër rrjedhë.
Ai kujtoi se Kroacia dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim ushtarak dhe teknik në vitin 2009. “Në bazë të saj kemi ofruar ndihmë gjatë përmbytjeve dhe kemi realizuar dhjetë deri në pesëmbëdhjetë stërvitje ushtarake të llojeve të ndryshme,” theksoi Kotromanoviq. Ai shtoi se “gjithçka që Aleksandar Vuçiq po bën tani lidhur me armatosjen është një mjet i brendshëm, me të cilin ai forcon pozicionin e tij dhe të partisë, së bashku me përpjekjen për të kontrolluar të gjitha segmentet që i nevojiten për të qëndruar në pushtet.”
“Gjithashtu, në Serbi flasin me obsesion për Kosovën, të cilën nuk mund ta pranojnë. Besoj se Vuçiq, me forcat e tij dhe ndihmën e disa rusëve, do të kishte ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, po të kishte fituar Rusia kundër Ukrainës brenda një muaji. Kush do ta kishte ndaluar atëherë?” pyeti ai retorikisht.
Kotromanoviq theksoi gjithashtu se ka dallime thelbësore mes armatosjes së Kroacisë dhe asaj të Serbisë.
“Kroacia është anëtare e NATO-s dhe ka detyrime. Kjo nuk përbën në asnjë mënyrë një kërcënim, dhe nuk do t’i bashkonim forcat për të sulmuar Serbinë. Këto janë marrëzi të pastra,” përfundoi ai.
