Ish-anëtari i ISIS-it dënohet me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë

**Prishtinë** – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-pjesëtarin e organizatës terroriste ISIS, Hysri Selimi, me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të Serbisë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Selimi ka ndihmuar Agjencinë Serbe për Siguri dhe Inteligjencë (BIA). Ai është takuar me drejtorin e BIA-s për luftimin e terrorizmit, Igor Babiq, dhe një zyrtar tjetër serb në territorin e Serbisë, konkretisht në Vranjë, Nish dhe Bujanoc. Gjatë këtyre takimeve, Selimi u ka ofruar informacione, bazuar në detyrat e caktuara paraprakisht, lidhur me persona të radikalizuar, zhvillimin dhe ndikimin e rrymave vehabiste në Kosovë, si dhe numrin e funksionimin e mesxhideve (vende faljeje jashtë kontrollit të Bashkësisë Islame).

I akuzuari, po ashtu, pretendohet se i ka dërguar informata BIA-s serbe lidhur me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe vrasjet gjatë luftës. Prokuroria Speciale pretendon se Selimi iu bashkua ISIS-it me urdhër të BIA-s.

Në dhjetor të vitit 2022, Hysri Selimi ishte dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS, ku kishte shërbyer si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, i konfirmuar më pas në Apel, konstatoi se ai kishte pasur kontakte edhe me figura të tjera të organizatës terroriste nga Kosova, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi.

Aktakuza thekson se Selimi, pas kërkesave dhe udhëzimeve nga zyrtarët e BIA-s – të cilët e kishin pajisur me telefona inteligjentë dhe mjete financiare, duke i premtuar edhe blerjen e një shtëpie – udhëtoi më 22 nëntor 2015 drejt Sirisë, përmes aeroportit të Stambollit, me një mision të caktuar nga BIA.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Selimi fillimisht iu bashkua organizatës terroriste ISIS dhe më pas dërgoi informacione tek zyrtarët e BIA-s në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në ISIS, organizimin e tyre dhe zonat e Sirisë ku operonin.

Pas kthimit në Kosovë nga Siria dhe vuajtjes së dënimit për pjesëmarrje në organizata terroriste, Selimi vazhdoi të takohej me zyrtarë të BIA-s, përfshirë drejtorin për luftimin e terrorizmit dhe një zyrtar tjetër në Serbi (Vranjë, Nish e Bujanoc). Ai i informonte ata bazuar në detyrat e caktuara paraprakisht, duke ofruar të dhëna për persona të radikalizuar, zhvillimin e rrymave vehabiste në Kosovë, ndikimin e tyre, si dhe numrin e funksionimin e hapësirave fetare (mesxhideve), si dhe informata të tjera të rëndësishme.

Si shpërblim për këto informacione, aktakuza thekson se zyrtarët e BIA-s e paguanin Selimin deri në 700 euro në muaj, duke i ofruar edhe telefona inteligjentë për komunikim.

Përmes këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë, Selimi ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin kushtetues juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke ndihmuar BIA-n serbe të krijojë një narrativë të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Për këto veprime, Hysri Selimi u akuzua për veprën penale “Spiunazhi” sipas nenit 124, paragrafi 3, lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.