Fitorja bindëse 4-1 e Real Madridit ndaj Sevillas të dielën mbrëma ka nxitur vlerësime të shumta për skuadrën e Jose Mourinhos.
Trajneri portugez bëri tri ndryshime në formacionin titullar pas suspendimit katër ndeshjesh të Vinicius Jr., i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e kaluar kundër Villarrealit, të cilën madrilenët e fituan 1-0.
Ish-portieri Santi Canizares ishte ndër ata që analizuan ndeshjen e parë të Real Madridit pa anësorin brazilian.
Duke folur për radion spanjolle “COPE”, siç raporton “Defensa Central”, ish-portieri argumentoi se skuadra duket më e balancuar kur luan vetëm njëri prej dy sulmuesve të saj kryesorë.
“Loja e Madridit përmirësohet kur në sulm luan vetëm njëri prej të dyve – Mbappe ose Vinicius”, tha Canizares.
“Ata janë lojtarë që nuk kthehen për të ndihmuar në mbrojtje. Në këtë mënyrë, skuadra është më kompakte dhe më e mbrojtur. Courtois e vlerëson këtë. Prandaj, Madridi shkoi në pushim me vetëm një pritje të mirë të portierit”, theksoi ai.
“Loja e tyre i mungon rrjedhshmëria, por duke qenë se kanë lojtarë shumë të mirë, mund të shënojnë dy gola pa pasur nevojë të bëjnë mrekulli. Ishin dy gola të shkëlqyer nga Guler dhe Mbappe”, shtoi ai.
Canizares vlerësoi gjithashtu kontributin e Yan Diomande dhe Federico Valverdes në krahë, duke sugjeruar se puna e tyre në anësore është një pjesë e rëndësishme e zhvillimit taktik të Madridit.
“Kontributi i Diomandes dhe Valverdes në krahë është interesant. Ndoshta nuk ka pasur shumë qarkullim të topit, por ndërtimi i aksioneve me përfshirjen e Huijsenit, kur ai kombinohet me Gulerin, është shumë më i rrjedhshëm dhe i ngjan shumë më tepër futbollit të mirëfilltë”, tha ai.
“E rëndësishme është që skuadra të qëndrojë e bashkuar dhe që, me vazhdimësi, të mund të përmirësohet më tej”, tha ai tutje.
Ish-portieri i Real Madridit dhe Valencias beson gjithashtu se Mourinho mund ta përdorë me sukses Aurelien Tchouamenin dhe Valverden si dyshe në mesfushë, me kusht që skuadra t’u ofrojë mbështetjen e duhur.
“Tchouameni dhe Valverde mund të formojnë pa problem një dyshe në qendër të mesfushës, edhe nëse nuk janë lojtarët më kreativë. Por, nëse mbrojtësit e krahëve dhe lojtarët mes linjave do të qëndronin më afër tyre, ata do të mund të luanin shumë mirë”, shpjegoi ai.
“Është çështje e tërheqjes së lojtarëve drejt qendrës për të krijuar hapësira në krahë, ose e qëndrimit të të gjithëve më afër njëri-tjetrit, në mënyrë që pasimet të jenë më të lehta. Ata nuk janë lojtarë që e mbajnë topin nën kontroll me shumë prekje teknike, por kjo nuk do të thotë se janë lojtarë të dobët. Në varësi të intensitetit dhe përkushtimit, skuadra bëhet krejtësisht ndryshe”, tha ai.
Ish-portieri foli edhe për gjykimin e Mateo Busquets Ferrer dhe ankesat e Sevillas për një karton të kuq të pretenduar që Arda Guler i shpëtoi.
Canizares argumentoi se edhe Real Madridi është dëmtuar nga vendimet e gjyqtarëve këtë sezon, duke sugjeruar se incidenti me Gulerin nuk ishte rast i izoluar.
“Reali është përballur me vendime të gjyqtarëve që nuk kanë qenë në favor të tij, por nuk ka ndodhur asgjë. Ajo që ndodhi sot me Gulerin i ka ndodhur Madridit disa herë këtë sezon”, theksoi ai.
Megjithatë, ai pranoi se pamjet në dispozicion e bënin të vështirë arritjen e një përfundimi të qartë.
“Nuk jemi plotësisht të sigurt për këtë polemikë, sepse nuk e kemi parë qartë”, shtoi Canizares./GazetaExpress/
