Aktakuzë ndaj shtetasit shqiptar, tentoi të fuste në Kosovë mbi 2 kilogramë marihuanë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtetasit shqiptar Xh.K., i cili ndodhet në paraburgim. Ai dyshohet fort se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, sipas nenit 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, Xh.K. tentoi të importonte pa autorizim lëndë narkotike të llojit marihuanë. Ai e kishte siguruar drogën në Shqipëri dhe më pas, nga Tirana, kishte hipur në një autobus të një kompanie turistike me destinacion Kosovën.
Gjatë kontrollit në pikën kufitare të Vërmicës, një zyrtar policor, pasi hyri në autobus për të kontrolluar dokumentacionin e udhëtarëve, ndjeu një aromë të fortë narkotikësh në pjesën e pasme të autobusit, ku ishte ulur i pandehuri.
Pas kontrollit të çantës së Xh.K., u gjetën:
* Një qese najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë 2 kilogramë e 162 gramë.
* Një qese tjetër najloni me substancë narkotike të llojit marihuanë, me peshë 2.13 gramë.
* Një peshore elektrike me këllëf.
Aktakuza thekson se lënda narkotike ishte destinuar për t’u importuar në Kosovë, konkretisht në qytetin e Ferizajt, me qëllim shpërndarjen dhe shitjen.
Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit në fuqi.
