Ivanka Trump sërish në Shqipëri, viziton Vlorën dhe Dhërmin

Ivanka Trump, vajza e ish-presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti dje në Shqipëri, duke zgjedhur Vlorën si destinacionin e saj të parë.

Mësohet se ajo qëndroi mbrëmë në vilat qeveritare, të vendosura në zonën bregdetare të qytetit.

Sot, Ivanka Trump pritet të zhvillojë një drekë me kryeministrin Edi Rama në vilat qeveritare në Dhërmi. Më pas, ajo pritet të realizojë edhe disa ndalesa dhe vizita në qytetin e Vlorës.

Kjo shënon vizitën e saj të disatë në vendin tonë, veçanërisht në zonën e jugut.

Në janar të këtij viti, trashëgimtarja e Trump-it publikoi pamje nga bukuritë natyrore të jugut të Shqipërisë, shoqëruar me këngën “Luleborë” në sfond.

Qëllimi i plotë i vizitës së saj aktuale nuk është bërë ende publik. Megjithatë, Ivanka dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, kanë shprehur më parë interes për investime të mundshme në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.