Policia e Shtetit ka arrestuar në Tiranë një 51-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ky arrestim vjen në kuadër të fazës së 90-të të operacionit “Operacionalja”.
Shtetasi me inicialet Y.M., banues në Tiranë, ishte në kërkim nga Interpol Roma. Ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Bolonja, Itali, në korrik të vitit 2022, me 5 vjet, 11 muaj e 14 ditë burg. Dënimi lidhet me veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhje në rrethana rënduese”.
Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku ai do të vuajë dënimin e dhënë.
