Izraeli paralajmëron iranianët pas kërcënimeve të Trump: Shmangni udhëtimet me tren
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) u kanë bërë thirrje qytetarëve iranianë të mos udhëtojnë me tren gjatë ditës së sotme.
Në një postim të publikuar në llogarinë zyrtare të ushtrisë në rrjetet sociale në gjuhën persiane, IDF thekson se “për hir të sigurisë suaj, shmangni përdorimin dhe udhëtimin me tren” në të gjithë vendin, “deri në orën 21:00 me orën lokale të Iranit”. Aty shtohet se “prania në trena dhe afër linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.
Ky paralajmërim vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se do të godasë objektiva të infrastrukturës civile në Iran. Kërcënimi bëhet nëse regjimi iranian refuzon të lejojë kalimin e lirë nëpërmjet Ngushticës së Hormuzit deri të martën në orën 20:00 (kohë lokale e SHBA-së), e cila korrespondon me orën 02:00 të mëngjesit të së mërkurës në Evropën Qendrore. Lajmin e raporton BBC.
Gjatë natës, ushtria izraelite njoftoi gjithashtu se kishte përfunduar një valë sulmesh ajrore që kishin në shënjestër infrastrukturën në Teheran, të lidhur me regjimin, dhe kishte vrarë persona që pretendoi se ishin anëtarë të Hezbollahut.
Veçmas, ushtria izraelite tha gjithashtu se kishte interceptuar raketa të lëshuara drejt Izraelit nga territori iranian.
